Një denoncim tepër i rëndë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një sipërmarrës shqiptar që jeton dhe punon në Londër, i cili pretendon se është përballur me një situatë skandaloze nga efektivë policie në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Qytetari thotë se kishte mbërritur sot nga Anglia me 13 mijë paund cash, para të siguruara nga puna dhe biznesi i tij në Londër. Sipas tij, shuma ishte e deklaruar dhe e shoqëruar me dokumentacion bankar që justifikonte plotësisht burimin e parave.
Por ajo që duhej të ishte një procedurë normale kontrolli, sipas denoncuesit, është kthyer në një episod presioni dhe frikësimi.
Ai pretendon se gjatë kontrollit është futur në një dhomë ku ndodheshin 2-3 efektivë policie, të cilët kanë ushtruar presion psikologjik ndaj tij. Sipas qytetarit, efektivët i kanë thënë se, pavarësisht dokumenteve dhe deklarimit të shumës, do t’i mbanin 4 mijë paund dhe do ta shoqëronin në komisariat, pasi sipas tyre ai duhej t’i kishte njoftuar paraprakisht.
Por historia nuk përfundon këtu.
Sipas denoncimit të bërë pranë JOQ Albania, në fund qytetarit i janë mbajtur 500 paund, ndërsa më pas është lejuar të largohet.
Një pretendim jashtëzakonisht serioz, që ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si zhvillohen kontrollet në Aeroportin e Rinasit.
Nëse paratë ishin të deklaruara dhe burimi i tyre justifikohej me dokumentacion bankar, mbi çfarë baze iu kërkuan mijëra paund qytetarit? Përse iu mbajtën 500 paund dhe ku përfunduan ato? A ekziston një procesverbal apo dokument zyrtar për këtë shumë?
Por shqetësimi më i madh i qytetarit lidhet me mungesën e kamerave në dhomat e kontrollit. Sipas tij, pikërisht në ambiente të tilla, ku qytetari mbetet vetëm përballë disa efektivëve, mungesa e monitorimit krijon hapësirë për abuzime dhe e bën pothuajse të pamundur provimin e tyre.
JOQ Albania pret reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit lidhur me këtë denoncim, si dhe një përgjigje të qartë për pretendimin se një qytetari i janë mbajtur 500 paund gjatë kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.