Nga Ministria e së Vërtetës.
Një operacion i përmasave të pazakonta raportohet se është zhvilluar këtë pasdite në drejtim të Surrelit, ku dhjetëra efektivë policie, të pajisur me skafandra, jelekë antiplumb dhe një seriozitet që zakonisht rezervohet për njerëzit pa pushtet, janë nisur për të arrestuar kryeministrin Edi Rama.
Sipas burimeve krejtësisht satirike, operacioni është përgatitur prej kohësh, por policia ka pritur derisa të siguronte një numër të mjaftueshëm efektivësh për t’u përballur me objektivin tepër të rrezikshëm.
“Për një person të vetëm duheshin minimalisht disa dhjetëra policë. Nuk mund të rrezikonim,” mësohet të ketë thënë një drejtues operacioni, ndërsa kontrollonte për herë të tretë nëse kishte marrë skafandrën.
Kolona e forcave speciale raportohet se ka marrë drejtimin e Surrelit, ndërsa banorëve u është kërkuar të qëndrojnë të qetë dhe të mos afrohen pranë zonës, për shkak se objektivi mund të tentojë të neutralizojë operacionin me një fjalim dyorësh.
Burime nga terreni thonë se policëve u janë shpërndarë edhe udhëzime të veçanta: nëse Rama fillon të flasë për “Shqipërinë 2030”, efektivët duhet të ruajnë pozicionet dhe të presin deri sa të përfundojë prezantimi në PowerPoint.