Dy persona janë ndaluar nga Policia e Tropojës pas ngjarjes tragjike të ndodhur në rrugën e Dobravës, ku një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën pasi ranë në kontakt me rrymën elektrike. Të ndaluarit janë N. Gj., 36 vjeç, Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, Drejtues Teknik i punimeve.
Sipas hetimeve paraprake, katër punonjësit po vendosnin një shtyllë ndriçimi në bazament, kur kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat elektrikë, duke përcjellë rrymën te punonjësit. Si pasojë, humbi jetën M. S., ndërsa A. D., I. D. dhe A. A. u plagosën dhe u transportuan në spital. Të tre ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndalimi i dy personave është bërë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.