Rama mbron Luarasin: Protestues të neveritshëm

Rama mbron Luarasin: Protestues të neveritshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj protestuesve që tentuan dje të pengonin hyrjen e deputetëve në Kuvend, duke e cilësuar sjelljen e tyre si “të neveritshme”. Në një postim në rrjetet sociale, Rama u është drejtuar edhe mbështetësve të protestës, duke i ironizuar si “demokratë dembelë” dhe duke pyetur nëse “nuk u vjen turp” që dhunën dhe abuzimet verbale ndaj deputetëve t’i paraqesin si “mospajtim demokratik”.

Reagimi i kryeministrit erdhi pasi protestuesit u përplasën me deputetët jashtë Kuvendit, ndërsa sipas Ramës ndaj parlamentarëve pati sharje, vezë dhe madje gurë të hedhur. Rama publikoi edhe pamje ku disa protestuese ndiqnin deputeten Iris Luarasi drejt Parlamentit, duke e akuzuar atë si “hajdute” dhe duke i thënë se “nuk i përfaqësonte gratë”. Kryeministri e përdori rastin për të sulmuar ashpër mënyrën e protestimit, duke e cilësuar atë si shumë larg standardeve të një proteste demokratike.

Rama nuk kurseu as ironinë ndaj kritikëve europianë që kishin mbështetur protestat dhe kishin denoncuar ndërhyrjen e policisë. “Për llojin tuaj të veçantë të demokratëve dembelë”, shkroi ai, duke argumentuar se Shqipëria është “një vend vërtet i lirë dhe shumë më demokratik sesa politika juaj mendjengushtë”. Sipas Ramës, protestuesit dhe mbështetësit e tyre po përpiqen ta shesin si “mospajtim demokratik” një sjellje që përfshin fyerje dhe dhunë ndaj deputetëve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit