Një qytetare i është drejtuar JOQ Albania për të denoncuar një situatë të rëndë që, sipas saj, prej më shumë se dy muajsh vijon të mbetet e pazgjidhur në rrugën e “Dajtit”.
Bëhet fjalë për një pusetë të bllokuar, nga e cila ujërat e zeza rrjedhin lirshëm në rrugë, duke përhapur edhe një aromë të rëndë kundërmuese dhe duke e bërë të vështirë kalimin për këmbësorët dhe banorët e zonës.
Sipas qytetares, punonjës të UKT-së kanë shkuar në vendngjarje, por ndërhyrja e tyre ka konsistuar vetëm në vendosjen e një kapaku të ri, ndërsa problemi i bllokimit ka mbetur i pazgjidhur.
“Erdhën, i vendosën vetëm kapak dhe e lanë sërish në atë gjendje, ku ujërat e zeza rrjedhin lirshëm në rrugë”, shkruan ajo.
Qytetarja tregon se i është drejtuar tre herë UKT-së për të kërkuar zgjidhjen e problemit, por deri më sot situata vijon të jetë e njëjtë. Ajo thotë se rastin e ka denoncuar edhe pranë Zyrës së Bashkëqeverisjes, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Problemi bëhet edhe më shqetësues për banorët, pasi sipas denoncimit, zona vuan edhe nga mungesa e trotuareve. Për pasojë, kalimtarët detyrohen të lëvizin pranë rrjedhjes së kanalizimeve, mes ujërave të zeza dhe erës së rëndë.
“Ky pra është shteti europian, që ka ndërtuar e zhvilluar Edi Rama, me 800,000 votuesit e tij, ku përpos mungesës së trotuareve, duhet edhe të ecësh përgjatë një rrjedhjeje kanalizimesh me aromë kundërmuese”, shprehet qytetarja.
Banorët kërkojnë ndërhyrje konkrete dhe zgjidhjen e problemit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse institucionet përgjegjëse do të reagojnë pas këtij denoncimi.
