Nga Ministrtia e së Vërtetës.
Në një mbrëmje gala ku konkurrenca ishte e ashpër por amatore përballë talentit të pastër, Igli Tare është shpallur zyrtarisht fitues i çmimit të lakmuar “Teveqeli i Vitit”, falë kontributit të tij të jashtëzakonshëm në fushën e bamirësisë imobiliare për zyrtarët e lartë.
Ish-drejtori sportiv, i cili e ka kaluar karrierën duke negociuar kontrata miliona euroshe në fushën e gjelbër, këtë herë ka arritur kulmin e karrierës duke negociuar vila luksoze… por në emër të tij dhe për llogari të të tjerëve, pa marrë asnjë cent komision apo qoftë edhe një falënderim të sinqertë.
Komiteti i organizimit të çmimit tha se vendimi ishte unanim pasi Tare arriti suksesin e rrallë që emri t’i dilte jo një, por dy herë për dy vila të ndryshme të fshehura të zv/kryeministres Belinda Balluku. Gara ishte e fortë, por ajo që e bindi jurinë ishte fakti se, ndërkohë që të tjerët fitojnë pasuri, pallate dhe luks të pafund, Tare doli nga ky super-operacion vetëm me emrin e njollosur, pa shijuar as një metër katror pllaka italiane dhe pa u bërë as pronar i një garazhi për biçikletë.
“Të sakrifikosh reputacionin e një ikone kombëtare vetëm për t’i mbajtur çelësat në xhep dikujt tjetër, kjo kërkon një nivel altruizmi që vetëm një teveqel i vërtetë mund ta arrijë,” thuhet në motivimin zyrtar të jurisë.
Në fjalimin e tij të pranimit, që fatkeqësisht u desh të mbahej në heshtje totale nga sikleti, Tare thuhet se ka deklaruar se herës tjetër, nëse do t’i duhet të shërbejë si mburojë pasurie për ndonjë politikan, të paktën do të kërkojë që vila të ketë pamje nga deti ose të paktën një pishinë funksionale, që djersa e imazhit të mos i shkojë dëm kot.
Ndërkohë, SPAK-u ka menduar t’i japë një çmim nderi si “Nëpunësi më i devotshëm i fshehjes pa pagesë”, duke e ftuar në ambientet e tyre për një kafe falas dhe një seancë të gjatë pyetjesh-përgjigjesh.