“Si në Indi”, sportistët europianë fundosin Gonxhen për kushtet e akomodimit në Tiranë

“Si në Indi”, sportistët europianë fundosin Gonxhen…

Më 11 shtator, në Tiranë ka nisur zyrtarisht Kampionati Europian Universitar i Sporteve Luftarake, një aktivitet që ka sjellë në Shqipëri rreth 1,600 pjesëmarrës nga 400 universitete dhe 38 vende europiane.

Përgjatë ditëve të garave, studentë dhe sportistë nga vende të ndryshme të Europës po përballen në disiplinat e sporteve luftarake, ndërsa aktiviteti shoqërohet edhe me shkëmbime kulturore dhe krijimin e miqësive të reja mes të rinjve europianë.

Por, krahas garave sportive, aktiviteti është shoqëruar edhe me një tjetër realitet: kushtet e akomodimit.

Sportistë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës janë përballur me kushte të rënda dhe të papërshtatshme higjieno-sanitare në ambientet ku janë akomoduar. Papastërtia dhe mungesa e standardeve bazë të higjienës kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi te pjesëmarrësit.

Madje, disa prej sportistëve nuk kanë nguruar ta krahasojnë situatën e hasur në Shqipëri me atë të vendeve të tjera, duke përmendur edhe Indinë si referencë për kushtet e papastërtisë.

Një aktivitet që duhej të ishte një vitrinë për Shqipërinë dhe një mundësi për të promovuar vendin përballë qindra universiteteve europiane, duket se do të mbahet mend edhe për kushtet e papranueshme me të cilat janë përballur sportistët.

Sporti meriton respekt dhe sportistët meritojnë kushte dinjitoze. Mikpritja nuk matet vetëm me organizimin e garave, por edhe me mënyrën se si trajtohen ata që vijnë në vendin tonë për të garuar.

Në këtë rast duket se standardet dhe kushtet e ofruara për sportistët europianë nuk kanë qenë vërtet në nivelin që kërkon një aktivitet i kësaj përmase pasi ministri i Sportit, Blendi Gonxhja, nuk e ka konsideruar këtë faktor të rëndësishëm një prioritet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit