Sherr me thika në Athinë, përleshen 15 persona, mes tyre edhe shqiptarë

Sherr me thika në Athinë, përleshen 15…

Një përleshje e madhe ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Kypselit në Athinë, ku rreth 15 persona janë përfshirë në një konflikt fizik. Mes personave të përfshirë dyshohet se kishte edhe shtetas shqiptarë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00, në kryqëzimin e rrugëve Lefkados dhe Evelpidon, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që çuan në nisjen e përleshjes.

Gjatë konfliktit, një 40-vjeçar me origjinë indiane ka mbetur i plagosur me thikë në bark dhe në kofshë. I plagosuri është transportuar me ambulancë të EKAB-it drejt spitalit “Kryqi i Kuq”, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkohë, në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë greke, të cilat kanë nisur hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në sherr.

Në lidhje me ngjarjen, policia ka arrestuar tre persona: dy shtetas grekë, 26 dhe 30 vjeç, si dhe një shqiptar 36-vjeçar. Ndaj tyre është ngritur procedim për veprën penale “lëndim i rrezikshëm trupor në bashkëpunim”. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur motivin e konfliktit, si dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë në përleshje.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit