“Rama na preu në besë”, Divjaka kundër reformës territoriale: Nuk pranojmë bashkimin me Lushnjën

“Rama na preu në besë”, Divjaka kundër…

Banorët e Divjakës vijojnë protestat kundër reformës së propozuar territoriale, që sipas tyre synon shkrirjen e Bashkisë Divjakë dhe përfshirjen e saj në Bashkinë Lushnjë.

Prej 45 ditësh, qytetarët janë mbledhur në shesh për të kundërshtuar këtë projekt, duke kërkuar që Divjaka të vijojë të jetë bashki më vete. Protestuesit argumentojnë se historia, identiteti dhe të dhënat demografike të zonës dëshmojnë, sipas tyre, se Divjaka i përmbush kriteret për të ruajtur statusin e saj.

Banorët shprehen të vendosur për ta vijuar betejën e tyre, ndërsa kundërshtojnë atë që e konsiderojnë si një vendim të marrë nga qeveria për bashkimin e Divjakës me Lushnjën.

Edhe në mbrëmjen e 45-të të protestës, qytetarët kanë vijuar me marshimin në rrugët e qytetit, duke përsëritur thirrjet për ruajtjen e Bashkisë Divjakë dhe slogane të tjera kundër reformës së propozuar.

Ndërkohë, të hënën, në orën 16:00, Komisioni i Këshillit Bashkiak Divjakë dhe përfaqësues të bashkisë do të zhvillojnë një takim të zgjeruar me qytetarët, ku pritet të diskutohen qëndrimet dhe shqetësimet e komunitetit lidhur me reformën territoriale.

Këshilli Bashkiak Divjakë ka votuar kundër kësaj reforme që në fillim të gushtit, gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të zhvilluar pikërisht për këtë çështje.

Të dhënat, argumentet dhe kërkesat e banorëve të Divjakës dhe njësive administrative përkatëse pritet t’i përcillen në ditët në vijim Kuvendit dhe Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit