Një 64-vjeçar me shtetësi shqiptare, i njohur prej vitesh për forcat e policisë spanjolle, është arrestuar në Tarragona pas një arratisjeje që nisi gjatë një kontrolli rrugor.
Ngjarja ndodhi fundjavën e kaluar, gjatë një operacioni të posaçëm të Mossos d’Esquadra për fundjavën e Diadës. Mbi 1,600 efektivë ishin angazhuar në të gjithë Katalonjën, ndërsa agjentët tentuan të ndalonin automjetin që drejtonte 64-vjeçari.
Por sapo pa policinë, ai nuk u bind. Shoferi kreu një manovër për t’iu shmangur kontrollit dhe u largua me shpejtësi. Për t’i prerë rrugën, efektivët vendosën në asfalt një shirit me gozhda. Automjeti kaloi mbi të, gomat u shfrynë dhe makina mbeti e bllokuar.
Edhe kjo nuk e ndali. 64-vjeçari braktisi automjetin dhe vazhdoi arratisjen në këmbë, duke detyruar policët ta ndiqnin si në këmbë, ashtu edhe me automjete. Pas ndjekjes, ai u kap dhe identifikua.
Kontrolli i të dhënave zbuloi se bëhej fjalë për një person me një histori të gjatë kriminale. Sipas “El Caso”, shqiptari rezulton me 46 precedentë policorë nga Mossos d’Esquadra, kryesisht për grabitje dhe vjedhje brenda automjeteve. Këtyre u shtohen edhe më shumë se 40 precedentë të tjerë të regjistruar nga Policia Kombëtare dhe Garda Civile spanjolle.
Kësaj liste iu shtua edhe një tjetër vepër: shqiptari u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Pas arrestimit, policia kontrolloi edhe zonat përreth, pasi dyshohej se gjatë arratisjes mund të kishte hedhur diçka nga dritarja e automjetit. Megjithatë, kontrollet nuk çuan në gjetjen e ndonjë sendi të dyshimtë.