Një ditë pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, ka ardhur edhe reagimi publik i Shqipe Mehmeti-Selimit, bashkëshortes së Rexhep Selimit.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo ka publikuar një fotografi së bashku me dy fëmijët e saj, duke mbajtur në duar flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krahas fotos, Mehmeti-Selimi ka përcjellë një mesazh të shkurtër, duke theksuar se do të vijojë të qëndrojë krenare dhe e fortë nën simbolin e UÇK-së.
Reagimi vjen një ditë pasi Rexhep Selimi u dënua me 13 vite burgim nga Gjykata Speciale. Sipas aktgjykimit, ai u gjet përgjegjës për disa vepra penale të lidhura me krime lufte, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Koha e kaluar nga Selimi në paraburgim do të llogaritet në kuadër të dënimit të tij.
Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe, ashtu si vendimet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, mund të ankimohet.