Aksidenti tragjik në Athinë: Këta janë 3 të rinjtë nga Fieri që humbën jetën

Aksidenti tragjik në Athinë: Këta janë 3…

Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, pasi tre shqiptarë kanë humbur jetën në një aksident fatal të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në Glyfada të Athinës.

Aksidenti ndodhi rreth orës 02:00, në bulevardin Poseidonos, në kryqëzimin me rrugën Kalypsous, në drejtim të Athinës. Automjeti me pesë persona brenda ka dalë nga rruga dhe është përplasur me forcë me një mur betoni pranë një hoteli.

Përplasja ka qenë tepër e rëndë, duke e dëmtuar pothuajse tërësisht automjetin. Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse, ku tetë efektivë me tre automjete dhe pajisje speciale u angazhuan për nxjerrjen e personave të bllokuar brenda makinës.

Tre prej pesë personave humbën jetën si pasojë e plagëve të marra. Sipas informacioneve të publikuara nga autoritetet greke, viktimat janë një 23-vjeçar, një 26-vjeçar dhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk ishte bërë ende publik në momentet e para të raportimit.

Dy të rinjtë e tjerë, të dy 18 vjeç, u transportuan me urgjencë në spital. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike dhe është i intubuar, ndërsa tjetri ka pësuar dëmtime të shumta dhe po merr trajtim mjekësor.

Policia rrugore greke ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Në kuadër të hetimit po shqyrtohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa deri më tani nuk raportohet për përfshirjen e një automjeti tjetër në përplasjen tragjike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit