Costa del Sol, një nga destinacionet më të njohura turistike të Spanjës, po përballet me një seri incidentesh të dhunshme që kanë rikthyer vëmendjen te prania shumëvjeçare e rrjeteve ndërkombëtare të krimit të organizuar. Sipas raportimeve të “The Sun”, gjatë javëve të fundit janë regjistruar tri incidente me armë zjarri, ndërsa vetëm në gusht Málaga shënoi pesë raste të tilla. Incidenti më i fundit ndodhi në Zalea, në periferi të Málagës, ku një burrë u vra. Në Marbella, një person u qëllua në këmbë pranë një hoteli, ndërsa dy javë më herët një tjetër burrë u vra në rrugë dhe autorët u larguan nga vendi i ngjarjes.
Prania e grupeve kriminale në Costa del Sol daton që prej viteve ’70, kur turizmi masiv, investimet në pasuri të paluajtshme dhe lidhjet ajrore me Britaninë e kthyen zonën në një pikë tërheqëse edhe për persona të përfshirë në aktivitete kriminale. Profesor Michele Riccardi, zëvendësdrejtor i qendrës Transcrime në Università Cattolica del Sacro Cuore, thotë se Marbella është përdorur për trafikun e kokainës nga Amerika Latine dhe për pastrimin e parave përmes sektorëve të turizmit dhe pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, studiuesi Chris Dalby, nga kompania e sigurisë Dyami, thotë se autoritetet spanjolle kanë identifikuar më shumë se 100 grupe kriminale të kombësive të ndryshme në Costa del Sol, mes tyre britanike, italiane, holandeze, franceze, shqiptare dhe spanjolle.
Sipas ekspertëve, ndryshimet në strukturën e këtyre rrjeteve mund të kenë ndikuar në shtimin e përplasjeve në terren. Riccardi thotë se disa drejtues të nivelit të lartë mund të jenë zhvendosur në Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa në Costa del Sol kanë mbetur më shumë operatorë të niveleve të ulëta. Ai e paraqet këtë si një hipotezë, duke theksuar se një strukturë e tillë mund të krijojë më shumë konkurrencë dhe konflikte mes grupeve. Në këtë mjedis, rrjetet që merren me trafik droge, logjistikë dhe pastrim parash krijojnë aleanca të përkohshme, të cilat mund të prishen për shkak të borxheve, ngarkesave të humbura apo konflikteve për kontrollin e tregjeve.
Autoritetet spanjolle kanë shtuar operacionet kundër krimit të organizuar në Marbella. Pas të shtënave të 8 shtatorit pranë një hoteli, policia arrestoi tre persona të dyshuar si pjesëtarë të një grupi kriminal. Ish-kryebashkiaku i Marbella-s, Pepe Bernal, ka deklaruar se plani kundër krimit të organizuar, i nisur në vitin 2024, dëshmon se autoritetet e kanë njohur prej kohësh problemin. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se infrastruktura kriminale e krijuar gjatë dekadave mund të zhvendoset drejt zonave të tjera si Alicante, Murcia, Valencia, Ibiza apo edhe Riviera Franceze, duke e bërë luftën kundër këtyre rrjeteve një sfidë që shkon përtej kufijve të Marbella-s.