Një qytetar, i cili kishte zgjedhur të kalonte të dielën pranë Liqenit të Kombinatit së bashku me familjen dhe fëmijët e tij, është përballur me një situatë shqetësuese mjedisore.
Ai ka treguar se në sipërfaqen e liqenit ka konstatuar dhjetëra peshq të ngordhur, ndërsa myshqet dhe bimësia ujore kishin mbuluar një pjesë të konsiderueshme të bregut.
Qytetari ngre dyshime se në ujërat e liqenit mund të jenë hedhur lëndë toksike, duke shkaktuar ngordhjen e peshqve dhe të gjallesave të tjera ujore. Megjithatë, shkaku i saktë i kësaj situate mbetet për t’u përcaktuar nga institucionet përgjegjëse.
Ai u bën thirrje autoriteteve që të ndërhyjnë menjëherë, të marrin mostra dhe të kryejnë verifikimet e nevojshme për të zbuluar shkakun e ngordhjes masive të peshqve, si dhe për të parandaluar një dëmtim të mëtejshëm të ekosistemit të liqenit.