KMY u shet shqiptarëve salçiçe me “spango muratori”

KMY u shet shqiptarëve salçiçe me “spango…

Siguria ushqimore dhe kontrolli i produkteve që konsumojnë qytetarët vijojnë të jenë një shqetësim, veçanërisht në rastet kur konsumatorët përballen me produkte të mykura, të skaduara apo me insekte apo sende të tjera brenda tyre.

Dhe për të denoncuar një rast të ngjashëm një qytetar i është drejtuar redaksisë tonë.

Ai ka treguar se brenda salçiçeve krudo të kompanisë KMY ka gjetur një material të pazakontë, i cili, në pamje të parë, ngjante me një fije leshi ose me spango që ishte e gjatë dhe shtrihej pothuajse në të gjithë gjatësinë e salçiçes.

Përshëndetje JOQ. Isha sot në market dhe bleva disa produkte. Mes tyre kishte edhe disa salçiçe të KMY. Kur po i konsumoja, doli diçka që dukej herë si lesh deleje e herë si spango muratori”, shprehet qytetari në denoncimin e tij.

Edhe pse qytetari ka mbetur i habitur nga ky produkt dhe kjo përmbajtje, duhet t’i themi se ky nuk është rasti i parë që konsumatorët përballen me problematika të tilla nga KMY.

Por më herët për raste të ngjashme, kompania është arsyetuar me faktin se produktet krudo janë produkte mishi të stazhionuar, të cilat nuk i nënshtrohen përpunimit termik, pra nuk zihen apo piqen dhe kësisoj materiali i konstatuar në produkt mund të jetë një rrip mishi me përqindje të lartë dhjami, i cili nuk është copëtuar siç duhet nga makineria gjatë procesit të prodhimit.

Megjithatë, edhe nëse ky është shpjegimi teknik për materialin e gjetur, mbetet e rëndësishme që procesi i prodhimit dhe përpunimit të kontrollohet në mënyrë që produkte të tilla të mos përmbajnë elementë që mund të ngatërrohen me materiale të huaja.

Në fund të fundit, nuk mund të jetë përgjegjësi e konsumatorit të zbulojë “gjëegjëzën” e një materiali të zgjatur brenda një salçiçeje.

Për këtë arsye, rasti kërkon një verifikim të qartë nga institucionet përgjegjëse dhe një reagim për të sqaruar se çfarë është materiali i gjetur dhe nëse procesi i prodhimit po funksionon sipas standardeve të kërkuara.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit