Vrasja e Artan Myrtajt në qendër të Sarandës ka sjellë reagime të forta dhe lëvizje në strukturat lokale të Policisë. Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka kërkuar ndryshimin e zinxhirit drejtues të Policisë së Sarandës, si dhe ngritjen e një Task-Force të posaçme për hetimin e kriminalitetit në qytetin bregdetar.
Vendimi është bërë i ditur gjatë një takimi të ministrit me drejtuesit e policisë në qarqe, ku në fokus ka qenë atentati i ndodhur një ditë më parë në Sarandë.
Sipas qëndrimit të ministrit, strukturat drejtuese lokale duhet të ndryshojnë, ndërsa për hetimin e ngjarjeve kriminale në Sarandë do të krijohet një strukturë e posaçme, e fokusuar te zbardhja e rasteve dhe evidentimi i autorëve.
Lëvizja vjen një ditë pas analizës urgjente të zhvilluar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, me strukturat e Komisariatit të Sarandës. Hita kërkoi hetime të thelluara, evidentimin e konflikteve dhe personave me precedentë, si dhe rezultate konkrete për ngjarjet kriminale në qytet.
Artan Myrtaj, 44 vjeç, u ekzekutua me armë zjarri në qendër të Sarandës, teksa ndodhej pranë një lokali në zonën e ish-agjencisë. Dy persona që lëviznin me motor iu afruan dhe hapën zjarr ndaj tij. Myrtaj tentoi të largohej me vrap, por u qëllua për vdekje. Nga të shtënat mbeti i plagosur edhe një 73-vjeçar që ndodhej rastësisht në zonë.
Autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar. Në vendngjarje janë sekuestruar rreth 13 gëzhoja të kalibrit 9 mm, ndërsa rreth 20 persona janë marrë në pyetje. Në kuadër të hetimeve po analizohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë dhe janë ngritur postblloqe në akset dalëse të qytetit.
Një prej pistave që po verifikohet është ajo e një vrasjeje me pagesë, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë e një lidhjeje me konfliktin e nisur pas një ngjarjeje të korrikut të vitit të kaluar, ku u plagosën me armë E.L. dhe G.H..
Megjithatë, deri në këtë fazë, policia nuk ka konfirmuar zyrtarisht motivin e vrasjes.