SPAK mbyll hetimet për Ervin Matën, akuzohet për trafikimin e 250 kilogramë kokainë

SPAK mbyll hetimet për Ervin Matën, akuzohet…

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj Ervin Matës, i dyshuar si drejtues i një grupi kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt Europës. Pas rreth tre vitesh hetime, SPAK ka ngritur ndaj Matës akuzat për “Trafikim të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. Hetimet janë drejtuar nga shefi i Seksionit për Krimin e Organizuar në SPAK, Vladimir Mara.

Sipas hetimeve, grupi që dyshohet se drejtohej nga Mata ka trafikuar rreth 250 kilogramë kokainë, me ngarkesën që dyshohet se ishte nisur nga Brazili dhe kishte destinacion aeroportin e Frankfurtit në Gjermani, në fund të shtatorit 2022. Ndaj Matës ishte caktuar në mungesë masa e sigurisë “arrest në burg” në tetor 2023. Ai u arrestua në Brazil në muajin prill, në kuadër të procedurave të kërkuara nga autoritetet shqiptare, ndërsa Gjykata Supreme Federale e Brazilit ka dhënë dritën jeshile për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Për trafikun e kokainës, më herët janë dënuar edhe anëtarë të tjerë të grupit, me një total prej më shumë se 60 vitesh burgim. Ervin Mata është i njohur edhe për drejtësinë shqiptare për përplasjen e vitit 2018 me Ervis Martinajn në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, truproja e Martinajt.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit