Për herë të parë, drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, përballet me një masë sigurie të kërkuar nga SPAK. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar “arrest në shtëpi” për Hysenin, në kuadër të një hetimi që e ka vendosur në qendër të vëmendjes një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend.
Detaje të reja janë zbardhur nga aksioni i SPAK dhe BKH-së për dosjen e AKSHI-t. Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, po hetohet për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”, ndërsa ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas të dhënave të bëra publike, dyshohet se Hyseni i ka përcjellë informacione shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar më herët në kuadër të këtij hetimi.
Dyshimet ndaj drejtueses së SHISH lidhen me mënyrën e administrimit dhe përcjelljes së informacionit që ajo dispononte për shkak të detyrës. Për këtë arsye, masa e sigurisë ndaj Hysenit përbën një nga zhvillimet më të rëndësishme të aksionit të SPAK, duke ngritur pikëpyetje edhe mbi sigurinë dhe mbrojtjen e informacionit shtetëror.
SPAK dhe BKH kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm kontrolle në disa banesa në Tiranë, përfshirë banesën e Vlora Hysenit, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe të disa ish-zyrtarëve të tjerë. Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e personave të përfshirë dhe lidhjet e tyre me dosjen e AKSHI-t.
Zhvillimi ngre një pikëpyetje të fortë, a është cenuar siguria kombëtare? Fakti që masa e sigurisë është kërkuar ndaj drejtueses së SHISH e bën çështjen veçanërisht sensitive, pasi bëhet fjalë për një institucion që administron informacion të klasifikuar dhe ka rol të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e sigurisë së shtetit.