FBI, rusët dhe dosja shqiptare/ Çfarë dihet për vdekjen e ish-partneres së McGonigal

FBI, rusët dhe dosja shqiptare/ Çfarë dihet…

Allison Guerriero, ish-partnerja e ish-zyrtarit të FBI-së Charles McGonigal, është gjetur e vdekur më 27 gusht në apartamentin e saj në Boynton Beach, Florida. Sipas Daily Mail, autoritetet e kanë klasifikuar vdekjen si vetëvrasje, ndonëse familjarë dhe miq të saj kanë shprehur dyshime për këtë përfundim.

Guerriero, 52 vjeçe, vdiq vetëm disa orë pasi publikoi rreth 75 postime në platformën X, ku kritikonte FBI-në dhe kërkonte vëmendje ndaj zyrtarëve të tjerë federalë. Në një prej postimeve ajo shkruante: “E urrej FBI-në”.

Babai i saj, Bill Guerriero, tha se nuk kishte parë raportin e autopsisë dhe se dëshironte të dinte rezultatet e ekzaminimit. Edhe miku i saj Roger Stone deklaroi se e kishte të vështirë të besonte se Guerriero kishte kryer vetëvrasje, duke u bazuar në komunikimet që kishte pasur me të pak para vdekjes.

Guerriero kishte pasur një lidhje rreth 18-mujore me Charles McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork. Më vonë, ajo u dha autoriteteve informacione që ndihmuan në hetimet ndaj tij.

McGonigal u dënua në çështje penale që lidhen, ndër të tjera, me marrëdhëniet e tij me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe me marrjen e 80 mijë dollarëve nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës. Ai aktualisht po vuan një dënim federal me burg.

Pak para vdekjes së Guerrieros, konsulentja e sigurisë Jackie Singh publikoi një artikull kritik ndaj saj dhe veprimeve të saj gjatë dhe pas marrëdhënies me McGonigal. Sipas Daily Mail, Guerriero i kishte dërguar Singh disa mesazhe ditën e vdekjes, ndërsa në njërin prej tyre shkruante: “Nuk dua të ta shkatërroj jetën ashtu siç ma shkatërruan mua.”

Guerriero kishte folur edhe për frikën se mund të ishte nën vëzhgim dhe për rreziqe që, sipas saj, lidhej me përballjen me persona dhe interesa ruse. Daily Mail thekson se nuk ka prova të pavarura që vërtetojnë pretendimet e saj për përgjime.

Ajo e kishte akuzuar vazhdimisht McGonigal për sjellje të dyshimta dhe kishte kontaktuar persona në FBI që në vitin 2019 për të ngritur shqetësimet e saj.

McGonigal u arrestua në janar 2023.

Sipas rrëfimit të Guerrieros, marrëdhënia e tyre kishte nisur në vitin 2017 dhe përfundoi në prag të Krishtlindjes 2018, pasi ajo mësoi se McGonigal nuk po divorcohej nga bashkëshortja e tij, siç i kishte thënë fillimisht.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit