Italia vijon hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur natën mes 19 dhe 20 shtatorit në Baldissero d’Alba, ku 35-vjeçari italian Roberto Mollo hapi zjarr ndaj një grupi personash që dyshohet se kishin hyrë në pronën e tij, duke vrarë 36-vjeçarin shqiptar Gjovalin Lazri. Sipas mediave italiane, hetuesit po shqyrtojnë hipotezën se Lazri mund të jetë qëlluar teksa largohej nga prona, rreth 30-40 metra larg saj. Mollo dyshohet se ka qëlluar 13 nga 15 fishekët e një pistolete Beretta 9 mm, ndërsa ai ka deklaruar se ishte frikësuar dhe kishte qëlluar për të trembur personat.
Gjovalin Lazri jetonte prej vitesh në Torino, së bashku me partneren dhe djalin e tyre të vogël, ndërsa prej rreth dy vitesh administronte një bar në Corso Taranto. Mediat italiane raportojnë se ai kishte precedentë për krime kundër pasurisë, përfshirë një vjedhje në një vilë në zonën e Astit në vitin 2013. Avokatja e familjes, Roberta Sisimbro, ka deklaruar se Lazri po përpiqej të riintegrohej dhe të ndërtonte një jetë të re. Ndërkohë, prokuroria e Astit e ka regjistruar Mollon nën hetim për vrasje me dashje, ndërsa prokurori Biagio Mazzeo ka sqaruar se ky është një veprim procedural dhe nuk përbën shpallje fajësie.
Tashmë vëmendja e hetuesve është te autopsia dhe ekspertiza balistike, që pritet të përcaktojnë numrin e plagëve, trajektoret e plumbave, distancën e qitjes dhe pozicionin e Lazrit në momentin e goditjes. Personat e tjerë që ndodheshin me shqiptarin ende nuk janë identifikuar, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e grupit dhe dinamikën e të shtënave. Familja Lazri, përmes avokates, ka bërë të ditur se nuk kërkon hakmarrje, por që drejtësia të zbardhë të plotë ngjarjen.