Kush janë tri gratë e haremit të Gys Agasit?

Kush janë tri gratë e haremit të…

Dosja e AKSHI-t po zgjerohet dhe, bashkë me të, po shtohen edhe emrat e zyrtarëve të lartë që kanë pasur role në institucione kyçe. Në këtë histori shfaqen Vlora Hyseni, Mirlinda Karçanaj dhe Dallëndyshe Bici, tre gra që kanë drejtuar institucione të rëndësishme dhe që, në momente të ndryshme, janë përfshirë në zhvillime që lidhen me emrin e biznesmenit Ergys Agasi.

Dhe nëse deri dje dukej sikur dosja ishte kryesisht një histori tenderash te AKSHI, tashmë panorama po bëhet pak më interesante: nga teknologjia te Kadastra dhe deri te shërbimi sekret, emri i Agasit vazhdon të shfaqet në sfond.

Vlora Hyseni, aktualisht drejtuese e SHISH, është emri më i fundit dhe ndoshta më i bujshmi. GJKKO ka caktuar ndaj saj masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, në kuadër të zhvillimeve të reja të hetimit që lidhet me dosjen e AKSHI-t dhe Ergys Agasin. Sipas raportimeve, Hyseni dyshohet edhe për “zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete shtetërore”.

Pra, nga drejtimi i institucionit që merret me informacionin sekret të shtetit, emri i saj tashmë ndodhet në një dosje ku në qendër është një biznesmen i akuzuar nga SPAK për një sërë veprash penale. Një zhvillim që sigurisht nuk kalon pa ngritur pikëpyetje.

Më herët në këtë histori ishte Mirlinda Karçanaj, ish-drejtuese e AKSHI-t. Emri i saj është pjesë e hetimeve të SPAK për procedurat e tenderimit në AKSHI, ku sipas dosjes hetimore ajo dyshohet për bashkëpunim me Ergys Agasin dhe persona të tjerë.

Dhe këtu kemi një tjetër institucion të rëndësishëm: AKSHI, agjencia që menaxhon një pjesë të madhe të infrastrukturës dixhitale të shtetit. Pra, aty ku kalojnë tendera me vlerë të konsiderueshme, sipas akuzave të SPAK, dyshohet se është krijuar një skemë për kontrollin e procedurave të prokurimit.

Por historia nuk ndalet këtu.

Dallëndyshe Bici, ish-drejtuese e Kadastrës, u thirr në SPAK në prill të këtij viti dhe u mor në pyetje për rreth dy orë lidhur me procedurat e legalizimit dhe regjistrimit të një vile në periferi të Tiranës, e cila rezulton në emër të Ergys Aga

Kështu, në të njëjtën histori kemi SHISH-in, AKSHI-n dhe Kadastrën. Tre institucione shtetërore me pesha krejt të ndryshme, por që në zhvillime të ndryshme të hetimit kanë kryqëzuar rrugët me të njëjtin emër: Ergys Agasi.

Dhe me zhvillimet e fundit, duket se dosja nuk po mbyllet, por po hap edhe më shumë dyer.

Nga tenderat, te pronat, nga zyrat e administratës te strukturat e sigurisë… pyetja tashmë është sa emra të tjerë do të dalin nga kjo histori dhe ku do të ndalet zinxhiri i SPAK-ut?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit