“Jemi nga INSTAT”, dy gra pyesin 70-vjeçaren sa para ka në bankë dhe çfarë pronash ka

“Jemi nga INSTAT”, dy gra pyesin 70-vjeçaren…

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të ngritur një shqetësim lidhur me dy gra që, sipas saj, janë paraqitur si punonjëse të INSTAT dhe kanë shkuar në banesën e nënës së saj 70-vjeçare në zonën e Yzberishtit në Tiranë për të kryer një sondazh.

Sipas denoncueses, dy gratë, të cilat janë paraqitur si “nënë e bijë”, i kanë bërë nënës së saj një sërë pyetjesh që lidhen me gjendjen e saj financiare. Ndër të tjera, ajo thotë se e kanë pyetur nëse ka para në bankë, nëse disponon karta krediti, nëse ka në plan të marrë kredi, nëse kryen transaksione bankare dhe nëse ka banesa apo prona të tjera.

Denoncuesja thotë se nëna e saj është pensioniste dhe e merr pensionin nëpërmjet bankës. Ajo u ka dhënë emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit, ndërsa ka treguar edhe se ka një llogari bankare të përbashkët me djalin e saj.

Sipas saj, gratë nuk i kanë dhënë ndonjë formular zyrtar për të plotësuar, por kanë mbajtur shënime në një bllok gjatë pyetjeve.

Ky rast ngre pikëpyetje, veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për një person të moshuar dhe për pyetje që lidhen me të dhëna personale dhe situatën financiare të familjes.

Nga ana tjetër, duhet theksuar se INSTAT kryen realisht anketa pranë familjeve shqiptare. Për shembull, Anketa e Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare përfshin intervista të drejtpërdrejta nga anketuesit dhe mbledh informacion mbi shpenzimet dhe të dhënat socio-demografike të familjeve. Edhe Anketa e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës zhvillohet çdo vit dhe synon të mbledhë të dhëna mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës së familjeve.

Pikërisht për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse rasti i denoncuar është pjesë e një ankete reale të INSTAT apo bëhet fjalë për persona që janë paraqitur në mënyrë të rreme si anketues.

JOQ Albania i drejtohet INSTAT për një reagim publik: A është duke u zhvilluar aktualisht ndonjë anketë apo fushatë në terren ku anketuesit kontaktojnë familjet dhe u bëjnë pyetje të tilla mbi llogaritë bankare, kreditë, transaksionet dhe pronat? Si mund të verifikojnë qytetarët identitetin e anketuesve të INSTAT?

Një reagim zyrtar do të ndihmonte në sqarimin e opinionit publik dhe veçanërisht të familjeve që mund të jenë kontaktuar në mënyrë të ngjashme. Nëse persona të tjerë kanë pasur të njëjtën eksperiencë, mund të na kontaktojnë për të treguar rastin e tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit