Zbardhen prapaskenat e ngjarjes së rëndë të regjistruar më 22 shtator në zonën e Alliasit, ku i riu Gerald Sefa humbi jetën pasi u hodh nga kati i pestë i një pallati.
Pas hetimeve paraprake dhe raportimit fillestar nga JOQ mbi rrethanat e kësaj ngjarje, blutë e kryeqytetit kanë vënë në pranga babanë e ish-bashkëjetueses së tij, Sajmir Demirin, mbi të cilin rëndon akuza e “shkaktimit të vetëvrasjes”.
Sipas burimeve hetimore, dy ditë para tragjedisë dyshohet se ka pasur një konflikt të ashpër mes të riut dhe vjehrrit të tij, i cili i ka kërkuar llogari lidhur me ndarjen nga vajza. Presioni dhe debatet e vazhdueshme vlerësohen nga policia si faktorë kyç që mund ta kenë shtyrë Sefën drejt aktit ekstrem.
Pak pas ngjarjes, grupi hetimor hapi fillimisht pistën e krimit për shkak të pranisë së një thike me njolla gjaku në banesë. Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore dhe gjurmët e gishtave konfirmuan se thika mbante vetëm ADN-në e viktimës, duke lënë të kuptohet se 36-vjeçari mund të ketë tentuar fillimisht të dëmtojë veten para se të hidhej nga lartësia.
Ndonëse banesa ku ndodhi ngjarja rezultonte në pronësi të një familjari të viktimës, kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur Sefa ka hyrë i vetëm në godinë. Nga ana tjetër, dëshmitë e mbledhura në vendngjarje sugjerojnë se brenda ambienteve të banesës mund të ketë pasur tensione dhe përplasje fizike mes palëve përpara se gjithçka të përfundonte në tragjedi.
Grupi hetimor vijon veprimet e mëtejshme proceduriale për të hedhur dritë të plotë mbi rrethanat e plota të ngjarjes.