Një qytetar ka denoncuar gjendjen higjieno-sanitare në parkingun në qendër të Fierit, duke ngritur shqetësimin për mungesën e pastrimit dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet e tij.
Sipas denoncuesit, në parking ka një erë të rëndë, ndërsa tualetet ndodhen në një gjendje shumë të keqe higjienike duke i bërë ato të papërdorshme.
“Paguan për parkimin, por nuk mund të përdorësh as tualetin. Era është shumë e rëndë, nuk ka ujë, nuk ka kosha dhe gjithçka është e papastër e e dëmtuar”, shprehet qytetari.
Ai ngre shqetësimin se mungesa e higjienës mund të përbëjë rrezik për shëndetin e qytetarëve që frekuentojnë këtë hapësirë.
Denoncuesi kërkon ndërhyrjen e Bashkisë Fier dhe institucioneve përgjegjëse për të verifikuar situatën dhe për të marrë masa për pastrimin, higjienizimin dhe mirëmbajtjen e parkingut.
“Nëse qytetarët paguajnë për parkimin, duhet të kenë edhe një ambient të pastër dhe të përshtatshëm për ta përdorur”, përfundon qytetari.