Sipas dosjes hetimore të SPAK, mes ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi ka ekzistuar një lidhje personale dhe e vazhdueshme, e cila, sipas hetuesve, ka vijuar edhe gjatë kohës kur Agasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia. Në komunikimet e siguruara nga dosja, Hyseni shfaqet duke diskutuar me Agasin për situatën e tij dhe për zhvillimet që lidhen me hetimin. Në një prej mesazheve ajo i shkruan: “Çfarë na bene o Zot”.
Në një tjetër komunikim, Hyseni shpreh solidaritet me Agasin dhe flet për persona të tjerë që, sipas saj, u kanë shkaktuar probleme. “Sa sh gjëra na kanë bërë ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt. Kjo është një situatë që do ja hedhim… Problemi është koha… Sa konsistencë kemi”, shkruan ajo më 22 gusht 2026. Sipas SPAK, këto komunikime, të marra së bashku me kronologjinë e tyre, tregojnë një afërsi personale dhe një qëndrim solidar me personin që ndodhej nën hetim.
Në pjesë të tjera të komunikimeve, sipas dosjes, Hyseni i përcjell Agasit edhe informacione paraprake për zhvillime politike dhe institucionale. “Taulant Balla kryetar Kuvendi…. Kështu janë infot… Bela me Taon shoku”, thuhet në një prej mesazheve, ku bëhet fjalë për deputetin Taulant Balla dhe deputeten Belinda Balluku. Po në këtë linjë komunikimi, Hyseni i tregon Agasit edhe për një takim me Kryeministrin, duke i shkruar: “Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”.
SPAK i vlerëson këto komunikime si pjesë të një sjelljeje që, sipas organit të akuzës, shkon përtej një marrëdhënieje personale dhe përfshin edhe gatishmëri për ta ndihmuar Agasin gjatë kohës që ai ishte në kërkim. Sipas dosjes, Hyseni identifikohet në disa raste me interesat e tij përballë procedimit penal dhe, sipas hetuesve, ka vënë në dispozicion edhe informacion që lidhej me funksionin e saj zyrtar. Këto janë vlerësime të SPAK të përfshira në dosjen hetimore dhe jo një konstatim përfundimtar i fajësisë nga gjykata.