Më shumë se një në katër persona të moshës 16 vjeç e lart në Shqipëri raportojnë vështirësi të moderuara ose të rënda në të paktën një aktivitet bazë të përditshëm. Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2022, 28.4% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe kanë raportuar kufizime në shikim, dëgjim, ecje, kujtesë ose përqendrim, komunikim dhe kujdesin për veten. Në të njëjtën periudhë, mesatarja e Bashkimit Europian ishte 37.4%.
Ecja dhe shikimi rezultojnë vështirësitë më të shpeshta të raportuara në Shqipëri, përkatësisht nga 19.4% dhe 19.3% e personave. Pas tyre renditen problemet me dëgjimin, me 13.2%, kujtesën ose përqendrimin, me 11.1%, kujdesin për veten, me 8.5%, dhe komunikimin, me 7.3%. Krahasuar me mesataren e BE-së, Shqipëria shënon përqindje më të larta për vështirësitë në ecje, dëgjim, komunikim dhe kujdesin ndaj vetes, ndërsa problemet me shikimin dhe kujtesën janë më të ulëta.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet e dyta pas Maqedonisë së Veriut për përqindjen e personave që raportojnë të paktën një vështirësi të moderuar ose të rëndë. Të dhënat tregojnë gjithashtu se kufizimet mund të shfaqen njëkohësisht në disa aktivitete, ndërsa në nivel europian ato lidhen edhe me moshën dhe gjendjen ekonomike. Eurostat thekson se shifrat bazohen në vështirësitë e vetëraportuara dhe nuk përfaqësojnë diagnoza mjekësore.