Ecja dhe shikimi, problemet më tëshpeshta te shqiptarët mbi 16 vjeç

Ecja dhe shikimi, problemet më tëshpeshta te…

Më shumë se një në katër persona mbi 16 vjeç në Shqipëri raportojnë vështirësi të moderuara ose të rënda në të paktën një aktivitet bazë të përditshëm.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2022, 28.4% e shqiptarëve të kësaj grupmoshe kanë deklaruar probleme me shikimin, dëgjimin, ecjen, kujtesën ose përqendrimin, komunikimin apo kujdesin për veten. Në Bashkimin Europian, kjo shifër ishte 37.4%.

Në Shqipëri, problemi që raportohet më shpesh është vështirësia në ecje, me 19.4%, e ndjekur shumë pranë nga shikimi, me 19.3%. Më pas vijnë dëgjimi me 13.2%, kujtesa dhe përqendrimi me 11.1%, kujdesi për veten me 8.5% dhe komunikimi me 7.3%.

Pavarësisht se shifra totale është më e ulët se mesatarja e BE-së, Shqipëria rezulton mbi mesataren europiane në katër kategori: ecje, dëgjim, komunikim dhe kujdes për veten. Diferenca më e madhe është te komunikimi, 7.3% në Shqipëri kundrejt 4.7% në BE.

Në rajon, Shqipëria renditet pas Maqedonisë së Veriut, ku 34.8% e personave raportojnë të paktën një vështirësi. Serbia ka 21.9%, Bosnjë-Hercegovina 24%, ndërsa Mali i Zi 20%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se vështirësitë shpesh shfaqen në më shumë se një fushë. Në Shqipëri, personat që raportojnë të paktën një kufizim deklarojnë mesatarisht rreth 2.8 lloje vështirësish.

Eurostat evidenton gjithashtu një lidhje mes këtyre problemeve, moshës dhe gjendjes ekonomike. Në BE, personat në rrezik varfërie raportojnë më shpesh vështirësi në aktivitetet bazë, ndërsa te grupmosha 65 vjeç e lart kufizimet janë dukshëm më të përhapura se te të rinjtë.

Të dhënat bazohen në anketën EU-SILC dhe matin vështirësi të vetëraportuara, jo diagnoza mjekësore. Në analizë përfshihen personat 16 vjeç e lart që jetojnë në familje private.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit