Forca të shumta policie dhe barriera metalike janë vendosur sërish rreth godinës së Parlamentit pasi sot po zhvillohet seanca e radhës parlamentare.
Në hyrje të Parlamentit janë mbledhur dhjetëra qytetarë, të cilët kanë protestuar kundër qeverisë, duke bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “Rama jep dorëheqjen” dhe “Parlamenti i krimit” ishin disa nga sloganet e dëgjuara gjatë protestës.
Situata është tensionuar pas shoqërimit dhe arrestimit të katër protestuesve, mes tyre Dritan Goxhaj dhe dy vajza. Protestuesit kanë kundërshtuar ndërhyrjen e policisë, duke pretenduar se personat e ndaluar nuk kanë kryer veprime të dhunshme dhe se protesta po zhvillohej në mënyrë paqësore.
Sipas protestuesve, ndalimet janë të pajustifikuara, pasi pjesëmarrësit po shprehnin vetëm qëndrimet e tyre kundër qeverisë.