Oligarku Allajbeu përplaset me shtetin për tenderin 18 mln € të Check-up-it

Oligarku Allajbeu përplaset me shtetin për tenderin…

Një tjetër tender milionësh në shëndetësi sjell në skenë emrin e biznesmenit Klodian Allajbeu. Kompania e tij “Evita” ka ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik tenderin për kite, reagentë dhe materiale mjekësore për Check-up-in, me fond rreth 1.6 miliardë lekë, ose afro 18 milionë euro. “Evita” kundërshton kriteret e Lotit 2, duke kërkuar dokumentacion më të plotë për prodhuesit, autorizimet, katalogët teknikë dhe specialistët e certifikuar. Pra, gara për 18 milionë euro nis jo me ofertat, por me debatin se cilat duhet të jenë rregullat e garës.

Procedura vjen pas tenderit të hemodializës, ku “Diaverum AB” ishte shpallur fituese si ofertuesja e vetme, me një ofertë sa rreth 97% e fondit limit prej 4.5 miliardë lekësh. Në atë kohë u ngritën pikëpyetje për konkurrencën dhe u rikthyen në vëmendje lidhjet e mëparshme të “Diaverum”, DiaVita-s dhe Spitalit Amerikan të Allajbeut. Ndërkohë, Arisa Cane, e cila kishte punuar më herët në Spitalin Amerikan, është larguar nga drejtimi i Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore dhe është zëvendësuar nga Yllka Kukalaj.

“Evita” e lidhur me Klodian Allajbeun hyn në betejën për një tender të majmë në shëndetësi. Tenderi i Check-up-it është ndarë në pesë lote, ndërsa për katër prej tyre është shkurtuar afati i ofertimit, në një kohë kur rezervat e kiteve janë të kufizuara. Kjo ngre pikëpyetjen e natyrshme: si ka mundësi që një nevojë e parashikueshme, pas kalimit të Check-up-it nën administrimin shtetëror, përfundon me nxitim dhe ankim në KPP? Për momentin “Evita” nuk është fituese dhe kontrata nuk është lidhur; ajo po kërkon ndryshimin e rregullave të tenderit. Pas hemodializës, topi është sërish në fushën e KPP-së, ndërsa 18 milionë eurot presin të vendosin se kush do t’i marrë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit