Shqiptari pranon fajësinë në SHBA për krime kibernetike, drejtoi platformën Rydox

Shqiptari pranon fajësinë në SHBA për krime…

Ardit Kutleshi, 28-vjeçar nga Kosova, është deklaruar fajtor në Shtetet e Bashkuara për krijimin dhe funksionimin e platformës ilegale online “Rydox”, e përdorur për shitjen e të dhënave personale të vjedhura dhe mjeteve për kryerjen e krimeve kibernetike. Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, Kutleshi pranoi fajësinë për vjedhje të rënduar të identitetit dhe komplot për pastrim parash. Platforma kishte funksionuar të paktën që nga viti 2016 dhe kishte realizuar mbi 7,600 transaksione, duke gjeneruar të paktën 232 mijë dollarë të ardhura.

Prokurorët amerikanë thanë se Kutleshi dhe vëllai i tij, Jetmir Kutleshi, e drejtonin platformën për përfitime personale, ndërsa përmes saj tregtoheshin informacione identifikuese, dokumente, të dhëna hyrjeje në llogari dhe mjete për krime kibernetike. Jetmir Kutleshi ishte deklaruar fajtor dhe ishte dënuar në dhjetor 2025, përpara se të deportohej në Kosovë. Ardit Kutleshi u arrestua në Kosovë në dhjetor 2024 dhe u ekstradua në SHBA në vitin 2025, ndërsa autoritetet amerikane sekuestruan edhe domenin “Rydox.cc”.

Kutleshi pritet të dënohet më 9 shkurt 2027. Për vjedhjen e rënduar të identitetit ai përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vitesh burgim, ndërsa akuza për komplot për pastrim parash parashikon deri në 20 vite burgim. Hetimi u zhvillua nga FBI në Pitsburg, në bashkëpunim me autoritetet e Kosovës, Shqipërisë, Malajzisë dhe institucione të tjera ndërkombëtare të drejtësisë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit