Gjykata e Durrësit ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtoren e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, nga “arrest në burg” në “arrest në shtëpi”. Mataj ndodhej në paraburgim që prej korrikut, nën hetim për përvetësimin 700 mijë eurove, fonde të destinuara për pagesën e pensioneve në Shijak dhe Krujë. Ndaj saj, Apeli kishte lënë në fuqi më herët masën “arrest në burg”.
Vendimi ngre sërish pyetje mbi mënyrën se si drejtësia shqiptare i trajton dosjet me shuma të mëdha parash publike. Tre punonjëse të Postës janë nën hetim për të njëjtën çështje, ndërsa përgjegjësia penale e secilës do të përcaktohet nga gjykata.
Drejtësia thotë se procesi vazhdon, por për qytetarin e zakonshëm pyetja është më e thjeshtë: si mund të zhduken miliona dhe përgjigjja të jetë thjesht ndryshimi i masës së sigurisë?
Më shumë se vetë masa, shqetësues është mesazhi që mund të marrë publiku. Pensionet janë paratë e njerëzve që kanë punuar gjithë jetën, ndërsa kur bëhet fjalë për miliona të dyshuara të përvetësuara, qytetari pret të shohë drejtësi të shpejtë, përgjegjësi dhe mbi të gjitha të dijë ku kanë përfunduar paratë. Përndryshe, drejtësia rrezikon të duket si një derë me dy hyrje: njëra për qytetarin e zakonshëm dhe tjetra për ata që përballen me dosje milionëshe.
Dhe pyetja që mbetet për shqiptarët është e fortë: nëse 69 milionë lekë të rinj mund të mungojnë nga fondet e pensioneve, kush mban përgjegjësi? Ku janë paratë? Dhe a beson ende qytetari se drejtësia do t’i shkojë kësaj dosjeje deri në fund, apo edhe kjo do të përfundojë në sirtarin e dosjeve që zvarriten?