Detaje të reja po dalin nga atentati me armë që tronditi zonën e Agios Panteleimonas në Athinë, ku një 10-vjeçare shqiptare mbeti e plagosur në këmbë.
Sipas mediave greke, objektivi i sulmit dyshohet se ka qenë pronari shqiptar i lokalit, Denis Luli, ndërsa autoritetet po hetojnë pistën e një përplasjeje të mundshme mes grupeve kriminale.
Ngjarja ka ndodhur kur katër persona të armatosur kanë mbërritur pranë lokalit me një automjet të vjedhur dhe kanë hapur zjarr në drejtim të biznesit. Dyshohet se është përdorur një kallashnikov dhe janë qëlluar rreth 25 plumba.
Pas breshërisë së armëve, autorët janë larguar me shpejtësi. Automjeti është gjetur më vonë i djegur në zonën e Aspropyrgos, ndërsa brenda tij është zbuluar edhe arma që dyshohet se është përdorur në atentat.
Mes të shtënave ka qenë edhe 10-vjeçarja, e cila ndodhej në lokal. E mitura, vajza e partneres së pronarit, u godit në këmbë dhe u dërgua në spital nga nëna e saj.
Ndërkohë, Denis Luli deri tani nuk u ka dhënë hetuesve të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjes. Megjithatë, mediat greke raportojnë se ai mund të kishte dyshime se ishte në shënjestër të një sulmi.
Sipas këtyre raportimeve, Luli dyshohet se i kishte kërkuar më herët një kamarieri që, nëse persona të tjerë do të pyesnin për të, të pretendonte se nuk e kishte parë.
Hetuesit po përpiqen tashmë të zbulojnë motivin e atentatit, identitetin e katër autorëve dhe nëse sulmi lidhet me një konflikt mes grupeve kriminale.