Një 56-vjeçar shqiptar është arrestuar në Connecticut nga autoritetet amerikane, në kuadër të kontrolleve dhe operacioneve të emigracionit.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Hasan Billa, banues në Wolcott, u ndalua më 3 shtator. Ai rezulton të ketë qëndruar në mënyrë të paligjshme në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ndaj tij kishte edhe çështje të hapura në nivel shtetëror, përfshirë akuza për tentativë sulmi seksual dhe abuzim seksual ndaj një të mituri.
Policia bëri të ditur se Billa u arrestua së bashku me dy persona të tjerë pas një operacioni të zhvilluar online. Një detektiv ishte paraqitur në internet si një vajzë 15-vjeçare dhe, sipas autoriteteve, tre të dyshuarit kishin udhëtuar drejt një adrese të përcaktuar në Hartford, me besimin se do të takonin një të mitur për qëllime seksuale.
Arrestimet u kryen pa incidente. Për secilin prej të dyshuarve ishte vendosur fillimisht një garanci prej 500 mijë dollarësh.
Rasti i Hasan Billës u bë publik nga autoritetet e emigracionit amerikane, ICE, më 25 shtator. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme lidhur me procedurat e emigracionit që do të ndiqen ndaj tij apo nëse do të nisë një proces për dëbimin e tij nga SHBA.