Një fluturim i kompanisë Flydubai nga Dubai drejt Izraelit është kthyer në një situatë alarmante, pasi një incident i rëndë në kabinën e pilotimit detyroi avionin të ndryshonte kurs dhe të ulej në Arabinë Saudite.
Në bordin e avionit ndodheshin rreth 150 persona. Alarmi u ngrit pasi ekuipazhi aktivizoi sinjalin e emergjencës dhe avioni nisi një zbritje të shpejtë, duke shkaktuar dyshime fillestare për një rrëmbim të mundshëm. Në reagim, Izraeli ngriti në ajër avionë luftarakë për të monitoruar situatën.
Por skenari i një rrëmbimi nuk është i vetmi që po hetohet. Zyrtarë izraelitë kanë deklaruar se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që incidenti të ketë qenë një tentativë sulmi terrorist e lidhur me një prej pilotëve.
Sipas kompanisë Flydubai, gjatë fluturimit ka pasur një përleshje brenda kabinës së pilotimit. Raportimet bëjnë me dije se piloti i dytë dyshohet se ka sulmuar me thikë kapitenin. Situata u vu nën kontroll pasi pjesëtarë të ekuipazhit ndërhynë në kabinë.
Dëshmitë e pasagjerëve të publikuara nga mediat e përshkruajnë situatën si kaotike. Disa prej tyre kanë treguar se kanë dëgjuar të bërtitura nga pjesa e përparme e avionit dhe më pas kanë vënë re gjak pranë kabinës së pilotëve.
Edhe të dhënat e fluturimit tregojnë një ndryshim të pazakontë të profilit të avionit. Sipas Flightradar24, avioni zbriti brenda pak minutash nga rreth 10 mijë metra në afërsisht 5 mijë metra lartësi, përpara se të kryente një manovër të pazakontë pranë kufirit me Jordaninë dhe më pas të merrte drejtimin për në Arabinë Saudite.
Ndërkohë, informacionet e publikuara nga mediat izraelite nuk janë të njëjta. Disa raportime pretendojnë se njëri prej pilotëve mund të jetë përpjekur ta rrëzonte avionin, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të mundshëm vetëvrasës. Në raportime të tjera, pilotët janë identifikuar si shtetas të Omanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pas incidentit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Jashtëm Israel Katz thirrën një mbledhje të strukturave të sigurisë për të vlerësuar situatën.
Sipas raportimeve nga Izraeli, pas analizës së të dhënave nga drejtuesit e institucioneve të sigurisë dhe Mossadit, autoritetet po e hetojnë incidentin edhe nën dyshimin se mund të ketë pasur motiv terrorist. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivi i mundshëm mbeten ende nën hetim.