Protestat e studentëve në Francë, plagosen 76 persona

Protestat e studentëve në Francë, plagosen 76…

Një valë protestash studentore ka përfshirë Francën, ku deri më tani janë raportuar 76 persona të plagosur, mes tyre studentë dhe pjesëtarë të stafit.

Shifrat janë bërë publike nga Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, i cili tha se protestat kanë nisur javën e kaluar dhe janë përshkallëzuar në disa qytete të vendit. Studentët kundërshtojnë gjendjen e dobët të ndërtesave shkollore, financimin që e konsiderojnë të pamjaftueshëm dhe presionin e madh që lidhet me provimet.

Pamje nga qytetet franceze tregojnë prani të shtuar të forcave të policisë. Në Lyon, efektivët janë rreshtuar përballë protestuesve, ndërsa në Lille dhe Saint-Denis, në veri të Parisit, nxënësit janë mbledhur jashtë ambienteve të shkollave.

Situata është tensionuar në Lille dhe Lyon, ku protestuesit u kanë vënë flakën kazanëve të mbeturinave dhe objekteve të tjera. Në Lille, disa prej tyre kanë hedhur edhe objekte në drejtim të forcave të sigurisë.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Laurent Nunez ka bërë me dije se gjatë protestave të së martës janë arrestuar rreth 440 persona, pjesa më e madhe e të cilëve të mitur.

Protestat dhe bllokimet e shkollave kanë përkuar me një grevë më të gjerë në sektorin publik dhe vijnë në një moment të ndjeshëm politik për Francën.

Në qendër të vëmendjes pritet të jetë edhe buxheti për vitin 2027, të cilin qeveria do ta paraqesë të enjten. Dokumenti pritet të përmbajë shkurtime të shpenzimeve, me synimin për të ulur presionin mbi financat publike.

Përplasjet në rrugë dhe numri i lartë i të arrestuarve kanë shtuar tensionet, ndërsa protestat studentore vijojnë në disa prej qyteteve kryesore të Francës.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit