Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar dhe një italian, pasi dyshohet se tentuan të mashtronin një banor duke i kërkuar arin dhe bizhuteritë që kishte në banesë. Sipas mediave italiane, njëri prej tyre e telefonoi viktimën duke u paraqitur si efektiv policie dhe i tha se makina e bashkëshortes së tij kishte një targë të klonuar, e cila dyshohej se ishte përdorur në një grabitje të një argjendarie.
Më pas, telefonata iu kalua një personi tjetër, i cili u prezantua si magjistrat. Atij iu kërkua të mblidhte floririn dhe bizhuteritë në shtëpi dhe t’ia dorëzonte një personi që do të paraqitej si “ekspert” i dërguar nga gjykata, me pretendimin se sendet do të kontrolloheshin për të verifikuar nëse ishin të vjedhura. Banori dyshoi për mashtrim dhe njoftoi policinë lokale.
Autoritetet organizuan menjëherë ndërhyrjen dhe, kur “eksperti” i rremë mbërriti për të marrë sendet me vlerë, u arrestua nga policia. Ndërkohë, personi tjetër tentoi të largohej me automjet, por u ndoq dhe u ndalua nga karabinierët. Të dy të dyshuarit u shoqëruan dhe u denoncuan, ndërsa hetimet për rastin vijojnë.