Pasagjeri rrëfen momentet e tmerrit: Përqafova fëmijët mendova se do vdisnim

Pasagjeri rrëfen momentet e tmerrit: Përqafova fëmijët…

Momente paniku dhe frike janë përjetuar në bordin e fluturimit FZ1073 të Flydubai, që udhëtonte nga Dubai drejt Tel Avivit, pasi njëri prej pilotëve dyshohet se sulmoi me thikë kolegun e tij dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit.

Pasagjeri Adam Polovincik, i cili po udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, një djalë gjashtëvjeçar dhe një vajzë trevjeçare, ka rrëfyer për BBC momentet e frikshme që përjetoi gjatë incidentit.

Sipas tij, gjithçka nisi me humbjen e menjëhershme të lartësisë. Në fillim ai mendoi se bëhej fjalë për turbulenca, por pak çaste më vonë pasagjerët dëgjuan britma dhe kuptuan se diçka e rëndë po ndodhte në kabinën e pilotëve.

“Ka gjak, ka therje me thikë, na duhet ndihmë”, kujtoi Polovincik thirrjet që dëgjoi në ato momente.

Avioni humbi shumë lartësi në më pak se dy minuta, duke shkaktuar panik në kabinë. Më pas u sinjalizua një emergjencë dhe alarm rrëmbimi, ndërsa avioni u devijua drejt Arabisë Saudite.

Në mes të kaosit, shqetësimi kryesor i Polovincik ishin dy fëmijët e tij. Ai tregoi se i përqafoi fort dhe u përpoq t’i bindte se gjithçka do të përfundonte mirë, edhe pse vetë ishte i frikësuar.

“Thjesht u thua atyre se gjithçka do të shkojë mirë”, rrëfeu ai, duke shpjeguar se përpiqej të mos e shfaqte frikën në fytyrë apo në zërin e tij.

Pas rreth 10 deri në 15 minutash, një pasagjer në pjesën e përparme të avionit njoftoi se situata ishte nën kontroll dhe se pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit po drejtonin avionin.

Sipas dëshmive të bëra publike, pasagjeri Yaniv Hayun arriti të kapte personin që dyshohet se kishte sulmuar pilotin dhe ta nxirrte nga kabina, ndërsa pasagjerë të tjerë ndërhynë për ta neutralizuar.

Piloti indian Smit Machchhar, i cili ishte plagosur me thikë, kishte arritur të hapte derën e kabinës, duke u dhënë mundësi pasagjerëve të ndërhynin.

Për Polovincik, piloti dhe pasagjerët që ndërhynë në ato momente janë heronjtë e ngjarjes.

“Pa hapjen e derës nga ana e tij, ndoshta nuk po flasim këtu tani”, tha ai për pilotin Machchhar.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit