Përballja Francë-Itali rikthen në vëmendje edhe një prej episodeve më të famshme të karrierës së Zinedine Zidane, atë të finales së Botërorit 2006, kur francezi u përplas me Marco Materazzin dhe u ndëshkua me karton të kuq pas goditjes me kokë ndaj mbrojtësit italian.
I pyetur për atë moment, trajneri i Francës u shpreh se nuk ka pendesa për atë që ndodhi, edhe pse pranoi se nuk është një episod për të cilin ndihet krenar.
“Goditja me kokë ndaj Materazzit? Nuk kam pendesa, sepse është pjesë e karrierës sime. Nuk jam krenar për të, e them edhe sot, por është pjesë e një rrugëtimi. Nuk mund të bësh vetëm gjëra të bukura, kjo u ndodh të gjithëve në jetë. Tani duhet të ecim përpara dhe të mendojmë për atë që do të ndodhë nesër me Kombëtaren”, u shpreh Zidane.
Ai pranoi se pamjet e atij episodi vazhdojnë të transmetohen shpesh, por theksoi se karriera e tij përmban shumë më tepër momente pozitive.
“Pamjet ma kujtojnë gjithmonë, transmetohen kudo, por unë nuk kam bërë vetëm këtë. Ka edhe pamje më të bukura të miat. Mendoj për ato pozitive”, shtoi ish-futbollisti francez.
Zidane foli gjithashtu me vlerësim për lidhjen e tij me Italinë dhe veçanërisht me Juventusin, klub ku kaloi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij.
“Juventusi dhe Italia kanë qenë shumë të veçantë për mua, aty u bëra një futbollist i rëndësishëm. Lippi? Frymëzohem nga të gjithë trajnerët, kam pasur disa të jashtëzakonshëm dhe Lippi është një prej tyre, sidomos në aspektin taktik. Italianët nuk janë inferiorë ndaj askujt në këtë aspekt dhe këtë gjë e kam mbajtur me vete”, tha Zidane.
Sa i përket sfidës së radhës, francezi paralajmëroi një përballje të vështirë dhe kërkoi përqendrim maksimal nga skuadra e tij.
“Italia nuk është e njëjta e dikurshme, ka cikle, por kjo është një skuadër e komplikuar. Lojtarët e mi janë gati për këtë ndeshje të tretë. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Ajo humbi ndaj Belgjikës, por fitoi ndaj Turqisë në një mënyrë të bukur. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje, ne duhet të luajmë të përqendruar dhe ta bëjmë më të mirën”, përfundoi ai.