Prokuroria e Posaçme ka pezulluar kallëzimin e Ajshe dhe Muharrem Haklajt ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 15 personave të tjerë, lidhur me vrasjet e katër vëllezërve Haklaj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli.
Pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore dhe marrjes në pyetje të disa personave, prokurorja Elida Kaçkini ka vendosur pezullimin e hetimeve, ndërsa materialet janë dërguar pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera për kryerjen e veprimeve të mëtejshme dhe sigurimin e provave.
Vendimi është kundërshtuar nga familja Haklaj, e cila ka kërkuar vijimin e hetimeve.
Babai i vëllezërve Haklaj, Muharrem Haklaj, së bashku me motrën e tyre Ajshe Haklaj, i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme me ankim, duke kërkuar që hetimi mbi kallëzimin e depozituar në SPAK në korrik 2021 të vijojë. Ankimi do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.
Në kallëzimin e tyre, Ajshe dhe Muharrem Haklaj akuzojnë ish-kryeministrin Sali Berisha se ka urdhëruar vrasjet e katër vëllezërve. Krahas tij, në kallëzim janë përfshirë edhe 15 persona të tjerë, të cilët familja Haklaj i akuzon se kanë qenë pjesë e një grupi të armatosur dhe të një organizate kriminale që, sipas pretendimeve të tyre, vepronte nën urdhrat e ish-kryeministrit.
Në kallëzim janë ngritur akuza për vrasje me paramendim, krijim të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, kryerje të krimeve në kuadër të tyre, si dhe akte terroriste.
Avokati i familjes Haklaj, Idajet Beqiri, ka deklaruar se familja dispononte prova, dokumente, materiale filmike dhe dëshmi që, sipas tij, mund të ndihmonin në zbardhjen e vrasjeve.
Vetë Ajshe Haklaj, Muharrem Haklaj dhe familjarë të tjerë kanë dëshmuar për disa orë në SPAK, ku kanë paraqitur pretendimet e tyre dhe materialet që, sipas tyre, lidhen me ngjarjet.
Pas veprimeve hetimore të kryera dhe marrjes në pyetje të personave të ndryshëm, SPAK ka vendosur pezullimin e çështjes dhe referimin e saj për veprime të mëtejshme hetimore.
Vrasjet e katër vëllezërve Haklaj janë pjesë e një historie të gjatë konfliktesh dhe përplasjesh të armatosura në Tropojë, ndërsa familja prej vitesh kërkon zbardhjen e tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave që ata i konsiderojnë përgjegjës.
Shkëlqim Haklaj ishte i pari nga katër vëllezërit që u vra. Ai u ekzekutua më 5 janar 1998 në Qafën e Luzhës.
Më 4 gusht 1999 u vra Halil Haklaj. Në të njëjtin atentat mbeti i plagosur vëllai i tij, Fatmir Haklaj, i cili u vra tre muaj më vonë, më 4 nëntor 1999, në Bujan.
I fundit ishte Ylli Haklaj, i cili u vra më 3 dhjetor 2000 në një atentat me snajper.
Katër vrasjet ndodhën brenda një periudhe prej afro tre vitesh, në një kohë kur Tropoja përjetonte konflikte dhe përplasje të armatosura, duke mbetur një prej historive më të bujshme kriminale të asaj periudhe.