Situata me zhdukjen e parave nga llogaritë e Raiffeisen Bank ka marrë përmasa edhe më alarmante, pasi të dhënat më të fundit të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania tregojnë se nuk kemi të bëjmë thjesht me qytetarë që kanë rënë pre e ndonjë mesazhi kurth. Fakte të reja zbulojnë se sistemi i sigurisë së vetë bankës ka rënë tërësisht, duke lënë llogaritë e shqiptarëve pa asnjë mbrojtje.
Denoncimet tronditëse të qytetarëve dëshmojnë se edhe pasi kanë marrë masat e menjëhershme duke bllokuar kartat e tyre bankare, paratë vazhdojnë të zhduken nga llogaritë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo rrëzon përfundimisht çdo pretekst apo justifikim se faji është i klientëve që kanë klikuar linqe të dyshimta, sepse nëse një kartë është e bllokuar zyrtarisht nga vetë sistemi, asnjë transaksion nuk duhet të lejohej të kryhej.
Kjo situatë flet qartë se hakerat ose autorët e këtij sulmi kanë depërtuar thellë në bërthamën e sistemit të bankës, duke anashkaluar çdo pengesë të sigurisë dixhitale. Kur një nga institucionet më të mëdha financiare në vend nuk arrin dot të ndalojë vjedhjen e parave as pas bllokimit të kartës dhe fsheh vendndodhjen e transaksioneve në aplikacion, pyetja nuk është më se si u mashtruan qytetarët, por se sa të sigurta janë realisht paratë e shqiptarëve në këtë bankë.