Vetëm dy ditë pas vendimit të Apelit të Posaçëm për dosjen e grupit të B.Ç., pesë prej grave të dënuara kanë depozituar kërkesa në Gjykatën e Posaçme për shtyrjen e ekzekutimit të dënimeve.
Në kërkesat e tyre, ato i referohen kushteve familjare dhe situatës së fëmijëve, duke kërkuar që vuajtja e dënimit të mos nisë menjëherë.
Bëhet fjalë për E.Ç., e dënuar me 7 vite e 4 muaj burgim, si dhe R.I., G.P., A.M. dhe S.V., të cilat janë dënuar secila me nga 6 vite e 8 muaj burgim.
Kërkesat janë paraqitur me objektin: “Shtyrja e ekzekutimit të vendimit, kur vuajtja e menjëhershme mund të ketë pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen”.
Në këtë dosje janë dënuar gjithsej gjashtë gra, ndërsa deri më tani ekzekutimi i masave është bërë për katër prej tyre.
Apeli i GJKKO-së vendosi më 5 tetor të lërë në fuqi dënimet për 16 të pandehurit e përfshirë në grupin e akuzuar për mashtrime përmes call center-ave. Sipas hetimeve, të pandehurit dyshohet se mashtronin qytetarë europianë.
Në total, dënimet ndaj anëtarëve të grupit kapin shifrën e mbi 110 viteve burgim. Ata janë shpallur fajtorë për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Grup kriminal”.