Një ngjarje e rëndë dhe e rrezikshme për sigurinë rrugore është regjistruar paraditen e së mërkurës në aksin Janinë-Arta, ku një shtetas shqiptar është arrestuar nga policia greke pasi lëvizte me shpejtësi marramendëse.
Shqiptari po drejtonte mjetin me një shpejtësi prej 249 km/orë, në një segment rrugor ku tabela kufizuese lejonte maksimumi 100 km/orë. Shkelja flagrante e rregullave të qarkullimit shkaktoi menjëherë reagimin e forcave të policisë, të cilat u vunë në ndjekje dhe arritën ta ndalonin me sukses shoferin.
Ndaj tij janë ndërmarrë masa të rrepta administrative dhe penale:
- Sekuestrimi i menjëhershëm i automjetit.
- Gjobë administrative prej 2.000 eurosh.
- Heqje e lejes së drejtimit për 1 vit dhe zbritje e 9 pikëve nga patenta.
Përveç gjobave administrative, ndaj tij janë komunikuar akuzat sipas nenit 290A të Kodit Penal Grek për drejtim të rrezikshëm të mjetit dhe vënie të jetës së qytetarëve në rrezik. Shtetasi shqiptar pritet të dalë para gjykatësit të Janinës, i cili do të përcaktojë edhe masën e sigurisë përfundimtare ndaj tij.