Çdo shtator vjen me një listë të gjatë shpenzimesh për çdo familje shqiptare që ka fëmijë në shkollë. Ndërkohë, jo të gjithë e dinë të vërtetën e hidhur që fshihet pas çmimeve të mjeteve shkollore.
Shqipëria aktualisht aplikon një tarifë doganore prej 15% për çantat e shkollës, si shembull, duke i klasifikuar ato praktikisht si mallra luksi, ndërkohë që në Bashkimin Evropian kjo tarifë është 0%.
Kjo politikë fiskale për mjetet shkollore rëndon ndjeshëm mbi buxhetet familjare, duke e bërë edukimin e fëmijëve më të kushtueshëm në vendin tonë krahasuar me vendet fqinje apo vendet e BE-së.
Ndërkohë që numri i fëmijëve në shkolla po bie, një prind në Shqipëri paguan tarifën më të lartë në rajon:
- Shqipëria: 15%
- Kosova: 10%
- Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut: 5%
- Serbia dhe BE-ja: 0%
Goditje mbi konsumatorin
Ekspertët dhe shoqatat e biznesit paralajmërojnë se kjo diferencë e madhe po deformon tregun.
Për shkak të çmimeve të larta, shumë qytetarë zgjedhin t’i blejnë mjetet shkollore në vendet fqinje ose i drejtohen tregut informal.
Kjo bën që bizneset e rregullta vendase të humbasin shitje, ndërsa shteti humbet të ardhura që mund të mblidheshin përmes një tregu më të gjallë dhe formal.
Megjithëse bizneset kanë kërkuar prej tre vitesh uljen e tarifës nga 15% në 5%, qeveria nuk ka ndryshuar politikën.
Pyetja që mbetet për mijëra prindër është: Pse shteti shqiptar zgjedh t’i tarifojë mjetet shkollore të fëmijëve më rëndë se vendet e tjera të rajonit dhe BE-së?