Tentoi të vriste “rivalin” në dashuri, shqiptari dënohet me 11 vite e 6 muaj burg

Tentoi të vriste “rivalin” në dashuri, shqiptari…

11 vite e 6 muaj burg për shqiptarin në Itali, qëlloi ndaj një 28-vjeçari

Një gjykatë në Itali ka dënuar me 11 vite e 6 muaj burg 32-vjeçarin shqiptar Altin Jakini, i akuzuar dhe shpallur fajtor për tentativë vrasjeje ndaj një bashkëkombësi 28-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit 2023, në Manta, në provincën e Cuneos. Sipas hetimeve dhe akuzës së ngritur në gjykatë, Jakini, i cili merrej me biznes në sektorin e ndërtimit, ka qëlluar me armë zjarri drejt një furgoni, edhe pse dyshohet se e dinte se brenda automjetit ndodhej 28-vjeçari.

I riu mbeti i plagosur rëndë dhe u gjet nga ekipet e emergjencës pasi furgoni kishte dalë nga rruga. Në momentet e para, rasti u trajtua si një aksident i rëndë automobilistik.

Megjithatë, situata mori një tjetër drejtim pasi i plagosuri, përpara se t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale në Cuneo, i tregoi policisë identitetin e personit që, sipas dëshmisë së tij, kishte qëlluar në drejtim të automjetit.

Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria e lidhi motivin e dyshuar të sulmit me xhelozinë. Sipas akuzës, Jakini dyshonte se 28-vjeçari kishte një marrëdhënie me të dashurën e tij. Pavarësisht se 28-vjeçari kishte tentuar ta bindte se dyshimet ishin të pabazuara, mes dy personave kishte pasur tensione edhe në ditët përpara ngjarjes.

Në të njëjtin proces u gjykua edhe Andrea Dedi, i cili në atë periudhë punonte për Jakinin. Ai akuzohej se e kishte ndihmuar 32-vjeçarin në realizimin e sulmit, por gjykata e shpalli të pafajshëm.

Në përfundim të procesit, gjykata e gjeti fajtor Altin Jakinin për tentativë vrasjeje dhe vendosi dënimin me 11 vite e 6 muaj burg.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit