Një konflikt mes dy grave ka përfunduar me plagosjen e një 23-vjeçareje rumune në Halkidha të Greqisë, në një ngjarje që dyshohet se lidhet me marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin e një 37-vjeçareje shqiptare.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 6 tetorit, kur 37-vjeçarja shkoi në banesën e vajzës rumune, e cila raportohet se është partnerja aktuale e ish-bashkëshortit të saj. Pas një debati verbal, situata u përshkallëzua dhe dy gratë u përfshinë në një përleshje fizike.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet greke, shqiptarja dyshohet se e ka sulmuar të renë me një mjet prerës, duke i shkaktuar dëmtime në gishtat e dorës së majtë, teksa ajo përpiqej të mbrohej. Më pas, konflikti ka vijuar edhe fizikisht dhe rumunia ka marrë dëmtime në kokë.
Në përfundim të përplasjes, 37-vjeçarja dyshohet se i ka prerë një pjesë të flokëve 23-vjeçares dhe, para se të largohej nga banesa, i ka marrë edhe telefonin celular.
E dëmtuara u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm të Halkidhës, ku mori ndihmën mjekësore për plagët e marra.
Policia greke nisi kërkimet dhe arriti ta lokalizonte shqiptaren, e cila u arrestua. Telefoni i marrë nga e reja u gjet gjithashtu në posedim të saj.
Pas arrestimit, gruaja u dërgua para prokurorit dhe kërkoi kohë për t’u përgatitur për dëshminë e saj lidhur me ngjarjen.
Sipas raportimeve të fundit nga mediat lokale greke, 37-vjeçarja është paraqitur më 8 tetor para autoriteteve gjyqësore dhe është lënë e lirë me masa kufizuese. Hetimet për çështjen vijojnë.