Një 49-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën në Greqi, pasi ra nga një skelë teksa punonte në një kantier ndërtimi në zonën e Kato Kamilës, në Serres.
Ngjarja ndodhi paraditen e së premtes, rreth orës 11:30, në rrethana që ende nuk janë sqaruar plotësisht. Sipas mediave greke, burri po kryente punime lyerjeje kur ra nga skela, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe plagë të tjera.
Ai u transportua me urgjencë me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Serresit, ku mjekët u përpoqën ta mbanin në jetë. Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së tyre, 49-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Sipas raportimeve të mediave greke, ai ishte baba i dy vajzave të mitura.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar se si ndodhi rënia fatale gjatë punës.