Shpërthimi në fabrikat e “Motor Oil” në Greqi, humb jetën edhe punëtori tjetër shqiptar

Shpërthimi në fabrikat e “Motor Oil” në…

Aksidenti i rëndë në vendin e punës, i ndodhur në ambientet e rafinerisë “Motor Oil” në Agioi Theodoroi të Greqisë, është shoqëruar me një tjetër humbje jete. Pak para orës 13:00 të së dielës, ndërroi jetë edhe Dorian Hysa, 50 vjeç, i cili ishte plagosur rëndë në këtë ngjarje, raportojnë mediat greke.

Hysa ishte dërguar në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio” në Elefsinë në gjendje kritike, i intubuar dhe me dëmtime të rënda në kokë. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve dhe përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Me vdekjen e 50-vjeçarit, shkon në dy numri i viktimave nga aksidenti tragjik në fabrikat e “Motor Oil”.

Viktima e parë ishte 43-vjeçari Robert Cakaj, gjithashtu me origjinë shqiptare, i cili pësoi dëmtime të shumta dhe u trajtua në Njësinë e Djegieve në spitalin “Thriasio”. Ai ndërroi jetë më 9 tetor, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë.

Ndërkohë, ngjarja ka vënë në qendër të vëmendjes kushtet e sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes në ambientet industriale. Sipas raportimeve, autoritetet greke kanë vijuar hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë zbatuar siç duhet masat e sigurisë në vendin e punës.

Në kuadër të hetimeve, janë kryer edhe tre arrestime të tjera të drejtuesve të “Motor Oil”, të cilët dyshohet se kishin rol të drejtpërdrejtë në mbikëqyrjen e punimeve.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit