Atentati me tritol i mori jetën: Beqiri ruhej prej një viti, shmangte qëndrimin në Tiranë

Atentati me tritol i mori jetën: Beqiri…

Beqir Devolli, 45-vjeçari i njohur me nofkën “Çilo Hunderri”, i cili humbi jetën pas atentatit me tritol në Gjirokastër, dyshohet se jetonte prej kohësh nën masa të shtuara kujdesi për sigurinë e tij. Familjarët e viktimës kanë deklaruar para policisë se prej rreth një viti ai i shmangej Tiranës dhe ishte rikthyer për të jetuar në Gjirokastër.

Megjithatë, pavarësisht kësaj situate, familjarët kanë mohuar që të kenë pasur dijeni për ndonjë armiqësi apo konflikt të tij me persona të tjerë. Edhe Erigers Mela, i cili mbeti i plagosur në të njëjtën ngjarje, ka deklaruar se mes tij dhe Devollit nuk kishte konflikte, ndërsa lidhja mes tyre ishte shoqërore.

Në kuadër të hetimeve për zbardhjen e atentatit, policia ka marrë në pyetje gjithsej 23 persona që kishin njohje me 45-vjeçarin. Sipas të dhënave të bëra publike, këta persona kanë dhënë informacione mbi marrëdhëniet dhe kontaktet që kishin pasur me të, ndërsa deri më tani nuk rezulton që deklarimet e tyre të kenë zbardhur plotësisht motivin e ngjarjes.

Atentati me tritol, që i mori jetën Devollit dhe la të plagosur Melën, ka ngritur pikëpyetje mbi rrethanat dhe personat që mund të kenë organizuar sulmin. Një nga çështjet që mbetet për t’u sqaruar është nëse fakti që 45-vjeçari ishte larguar nga Tirana dhe ruhej prej rreth një viti lidhet me ndonjë kërcënim të mëparshëm apo me motivin e atentatit.

Beqir Devolli humbi jetën mbrëmjen e 10 tetorit, rreth orës 22:00, automjeti tip “Mercedes-Benz” që drejtonte shpërtheu në lëvizje në bulevardin “18 Shtatori”, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës. Sipas të dhënave të publikuara, lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit dhe ishte aktivizuar me telekomandë. Pas shpërthimit, makina humbi kontrollin dhe përfundoi mbi trafikndarëse. Devolli mori plagë të rënda dhe ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa pasagjeri mbeti i plagosur.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit