Pas më shumë se 26 vitesh në arrati, Sokol Hoxha nuk do të vuajë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve Hektor dhe Ilirjan Banaj, ngjarje e ndodhur në vitin 1997 në Patos. Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën e 51-vjeçarit për parashkrimin e dënimit, duke i dhënë fund detyrimit për të vuajtur dënimin në Shqipëri.
Hoxha u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara në gusht të këtij viti, pasi ishte arrestuar në Ohio në muajin maj, pas një arratie gati tri dekada. Gjatë kësaj periudhe, ai kishte jetuar me identitetin e rremë Hysen Gashi.
Pas kthimit në Shqipëri, ku duhej të vuante një dënim prej 25 vitesh burg, ai iu drejtua gjykatës me pretendimin se dënimi ishte parashkruar. Kërkesa u pranua nga Gjykata e Fierit me vendimin e dhënë sot, ndërsa edhe Prokuroria ishte dakord me këtë qëndrim.
Në arsyetimin e saj, gjykata është mbështetur në nenin 68 të Kodit Penal, i cili parashikon se dënimet nga 15 deri në 25 vite burg nuk ekzekutohen kur kanë kaluar 20 vite nga marrja formë të prerë e vendimit. Hoxha ishte dënuar në mungesë nga Gjykata e Fierit në vitin 2000, por vendimi nuk ishte ekzekutuar për më shumë se dy dekada.
Me pranimin e kërkesës, 51-vjeçari nuk ka më dënime për të vuajtur në Shqipëri. Megjithatë, ai do të vijojë të qëndrojë në burg për llogari të autoriteteve belge, pasi ndaj tij është në fuqi një masë sigurie e vendosur më 8 tetor.
Në Belgjikë, Hoxha është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e shtetases shqiptare Brunilda Dervishi, gjithashtu në vitin 1997, pasi ishte larguar nga Shqipëria. Vendimi ndaj tij mori formë të prerë në vitin 2010.
Arrestimi i Hoxhës në SHBA u bë i mundur falë bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, Belgjikës dhe Shteteve të Bashkuara, në kuadër të operacionit të koduar “Globi”.