Studentët dhe të rinjtë kanë bërë thirrje për protestë kombëtare ditën e nesërme, më 13 tetor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke kërkuar një pjesëmarrje sa më të gjerë në tubim.
Përmes një mesazhi të bërë publik, ata u drejtohen studentëve, të rinjve dhe qytetarëve në të gjithë vendin, duke i ftuar të mos qëndrojnë indiferentë ndaj situatës politike dhe problemeve që, sipas tyre, po pengojnë të ardhmen e vendit.
“Protestojmë për çdo gjë që nuk funksionon dhe për çdo gjë që duam të jetë ndryshe. Nuk pranojmë më përbuzje dhe neglizhencë totale ndaj zërit tonë. E ardhmja e Shqipërisë është në dorën tënde”, thuhet në thirrjen e tyre.
Nisma vjen në vazhdën e protestave që po zhvillohen prej muajsh në Tiranë kundër qeverisë dhe klasës politike. Studentët dhe aktivistët kërkojnë që pakënaqësia e tyre të shndërrohet në një reagim më të gjerë qytetar, ndërsa në ditët e fundit janë artikuluar edhe thirrje për bojkot të mësimit.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore. Në listën e kërkesave përfshihen gjithashtu ndryshime në sistemin politik dhe atë zgjedhor, si dhe garantimi i një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm.
Tashmë, vëmendja është te dita e nesërme dhe te numri i studentëve, të rinjve dhe qytetarëve që do t’i përgjigjen thirrjes për t’u mbledhur para Ministrisë së Arsimit. Mbetet për t’u parë nëse ky tubim do të sjellë një mobilizim më të madh të të rinjve në protestat kundër qeverisë.